Nga Dylber Balla
Dy ditë më parë kryetari i PD-së Sali Berisha bëri një deklaratë të fortë duke u shprehur se ish-zyrtari i lartë i FBI -së, Charles McGonigal ka qenë në SPAK dhe ka takuar disa prokurorë të rëndësishëm me qëllim për ta arrestuar atë.
“A e dini ju që ai (Charles McGonigal) ka qenë këmbëkryq në SPAK?! Siç më thonë, ai ka kapur një nga një prokurorët e SKAP-it që ta arrestoni Sali Berishën dhe si ta arrestoni” tha Sali Berisha.
“5pyetjet.al” pas deklaratës së ish-kryeministrit kontaktoi drejtuesin aktual, zotin Altin Dumani dhe ish-drejtuesin e SPAK-ut, zotin Arben Kraja për t’i pyetur nëse e kanë takuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së.
Drejtuesi aktual i SPAK-ut u shpreh se nuk e ka takuar asnjëherë ish-zyrtarin e FBI-së. “Jam i fokusuar maksimalisht te detyra. Nuk e kam takuar asnjëherë Charles McGonigal” tha zoti Dumani, shef i Prokurorisë së Posaçme, i vlerësuar me integritet të lartë tek i cili pritshmëritë janë shumë të mëdha nga shqiptarët dhe partnerët.
Edhe zoti Kraja, që mbylli në dhjetor të vitit të kaluar mandatin tre vjeçar në krye të SPAK-ut u shpreh se nuk e ka takuar dhe Charles McGonigal nuk ka qenë asnjëherë në godinën e Prokurorisë së Posaçme. “Nuk e kam takuar asnjëherë këtë person dhe përsa kam qenë drejtues nuk ka pas asnjë takim të tij në SPAK me prokurorë të SPAK-ut” tha ai për “5pyetjet.al”.