Nga Dylber Balla
27 vite gjyqeve. Fatin e historisë së të ashtuquajturës organizata “Hakmarrja për Drejtësi” që iu faturuan shumë krime të rënda e vulosi vendimi i Gjykatës së Lartë që refuzoi rekursin e prokurorisë duke lënë në fuqi Apelin e Krimeve të Rënda që i shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit.
Gjykata ka dhënë pafajësi për Orik Shytin, Leart Shytin, Altin Arapin, Dritan Hatën, Gent Cakën, Nikolin e Pasho Novruzajn, Gëzim Gjonin, Roland Shytin dhe Kreshnik Spahiun.
Dy vëllezërit Orik dhe Leart Shyti, djemtë e ish-ministrit të Brendshëm Aredin Shyti, kanë qenë ndër më të lakuarit e kësaj dosje të famshme. Por si ndihen tani që drejtësia i vuri kapak?
“5pyetjet.al” kontaktoi zotin Leart Shyti, i cili u shpreh se për këtë që ndodhi në 27 vite nuk e ka fajin shteti, por Sali Berisha, që sipas tij ka pasur nën diktat çdo gjë. “Unë i qetë kam qenë që në ditën e parë” tha fillimisht ai.
Por a do të ndjekë rrugë gjyqësore për imazhin? “Jo, nuk besoj se do ta ndjek. Këtu për imazhin nuk ta ka fajin shteti, por Sali Berisha që ka pasur në diktat shtetin dhe i ka përdorur mekanizmat e shtetit për arsyet e tij” tha ai.
I pyetur nëse ka një mesazh për Sali Berishën pas gjithë këtij kalvari nga rinia dhe deri tani që është 51-vjeç, Leart Shyti u shpreh për “5pyetjet.al” se ish-kryeministri i ka marrë mesazhet.
“Nuk kam ndonjë mesazh për Berishën. Berisha i ka marrë mesazhet nga të tjerët. “Non grata” nuk është problem se e ka marrë nga të huajt. Non gratën e ka marrë nga shqiptarët shumë herët ai, por hajt më” tha Leart Shyti për “5pyetjet.al”.
Gjykata e Lartë i vë kapak: “Hakmarrja për Drejtësi”, e pafajshme