Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka përcjell nga afër gjatë gjithë ditës së shtunë takimet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.
I pyetur për zgjatjen e takimit trelateral, Ahmeti ka thënë se kanë pasur parashikime që takimet mund të zgjasnin deri në orën 18:00, megjithatë ka shtuar se sipas informacioneve që ka, zyrtarët e lartë që janë ndërmjetësues kanë anuluar fluturimet dhe takimet që kanë pasur për ditën e diel.
Aktualisht ka përfunduar edhe pjesa e dytë e takimit Kurti-Vuçiç-Borrell-Lajçak, dhe raportohet se mund të ketë edhe një raund të tretë apo vazhdimësi edhe të dielën.
Kosova dhe Serbia po bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve, për përmbajtjen e të cilit u dakordsuan në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
BE-ja më herët tha se Kurtit dhe Vuçiçit do t’iu prezantojnë një “plan të konsoliduar” të zbatimit të këtij propozimi, që synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.