Të padrejta sipas institucioneve të Kosovës, të dëmshme sipas ekspertëve.
Kështu komentohen masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia shqiptoi Kosovës, për shkak të, siç u tha, mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Protestat e tyre u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar që Kosova t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja, hapa në këtë drejtim nuk ka ende.
Në përgjigje, BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok – si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.
BE-ja pezulloi, po ashtu, programimin e fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA (Instrumentet e Para-Anëtarësimit në BE) dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.
Rrezik nga përshkallëzimi i masave
Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se masat e BE-së mund të përshkallëzohen gradualisht, nëse Qeveria e Kosovës nuk ndryshon qëndrim.
“Sot kemi masa që i pezullojnë fondet, nuk i anulojnë ato. Shkalla e ardhshme do të jetë anulimi i fondeve”, thotë Shasha.
“Duke qenë se jemi një ekonomi në zhvillim, një ekonomi ende fragjile në shumë aspekte, unë gjykoj se ato [masat ndëshkuese] do ta dëmtojnë shumë Kosovën”, thotë Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, për Radion Evropa e Lirë./REL
Artikulli i plotë këtu.