Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë thonë se duhet të gjejnë mënyra për t’iu kundërvënë politikave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat, sipas tyre, po e izolojnë vendin.
Ata pranojnë se për rrëzimin eventual të Qeverisë me mocion mosbesimi, tash për tash, nuk kanë vota.
Komentet vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës po përballet me trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri të vendit.
Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë hyrë në zyrat e tyre, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.
Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
Bashkimi Evropian, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara, kanë ndërmarrë tashmë masa ndëshkuese për Kosovën – përfshirë pezullim fondesh, stërvitjesh ushtarake dhe takimesh të nivelit të lartë – për shkak të, siç është thënë, mospërfilljes së kërkesave të tyre për shtensionomin e situatës.
Sipas disa përfaqësuesve opozitarë, këto masa e izolojnë Kosovën.
“Të merremi vesh me pushtetin ose ta rrëzojmë Qeverinë”
Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi i partive opozitare te Qeveria, për të gjetur një shtegdalje nga situata e krijuar, është tejet i vogël.
Sipas tij, këtë e pengojnë në masë të madhe “inatet” mes kryeministri Kurti dhe figurave të caktuara opozitare, në lidhje me, siç pretendon, gabimet e njëri-tjetrit.
Haliti thotë se opozita dhe pushteti duhet ta gjejnë mënyrën e “bisedimit të sinqertë për të ardhmen e vendit”./REL
Artikulli i plotë këtu.