Kisha Ortodokse Serbe hodhi poshtë pretendimet e deputetes britanike se armët e kontrabanduara nga Serbia janë “magazinuar” në ambientet e kësaj kishe në Kosovë.
Institucionet e Kosovës janë duke kryer hetim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 5 korrik se do të ketë informacione pas takimeve me përfaqësuesit e NATO-s në Kosovë dhe institucionet e sigurisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) për rezultatet e hetimeve të deritanishme.
Ndërkohë, zyrtarët serbë kanë kundërshtuar ashpër akuzat në adresë të Kishës Ortodokse Serbe.
Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, theksoi për REL-in rolin kontrovers të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke thënë se ajo është një aktor politik.
“Kisha Ortodokse Serbe është instrument i ndikimit të autoriteteve serbe, si në Kosovë ashtu edhe në vendet e tjera fqinje”, tha Vogel.
Gjithë kësaj i kanë paraprirë pretendimet e deputetes britanike, Alicia Kearns, për deponimin e armëve kontrabandë në ambientet e Kishës Ortodokse Serbe.
Deri në publikimin e këtij teksti, Kearns nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me demantet që pasuan deklaratën e saj.
Çfarë ka deklaruar konkretisht deputetja britanike?
Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, deklaroi në Parlament, më 4 korrik, se armët kontrabandohen nga Serbia në Kosovë me autoambulanca dhe se ato “deponohen” në ambientet e Kishës Ortodokse Serbe./REL
Artikulli i plotë këtu.









