Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni mbërriti pasditen e djeshme në Vlorë, për pushime disa ditore me familjen e saj në Shqipëri me ftesë dhe të kryeministrit Rama.
Mësohet se me të mbërritur në Vlorë, Meloni ka zhvilluar një takim informal me kryeministrin Rama në rezidencën qeveritare.
Media italiane “Quotidiano.net” ka shkruar rreth disa çështjeve që mund të jenë diskutuar midis dy liderëve në takim.
Sipas medias italiane, temë kryesore e diskutimit ishin investimet italiane në vendin tonë dhe e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por ajo që bie në sy në artikullin e kësaj mediaje është hipoteza që në takim mund të jetë diskutuar edhe mundësia e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar.
“Çështjet politike që prekin dy brigjet e Adriatikut, nga prania (masive, deri tani) e sipërmarrësve italianë te emigracioni, nga lufta në Ukrainë tek e ardhmja e Shqipërisë në BE, ishin disa nga temat që u diskutuan në bisedën joformale. Po ashtu u diskutua edhe çështja e gazsjellësit nënujor të Adriatikut, hipoteza e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar dhe vlerësimi i bumit turistik që ka sjellë qindra mijëra italianë në Shqipëri,” shkruan ndër të tjera media italiane.