Gjatë vizitës në Nju Jork, SHBA, ku kryeson delegacionin zyrtar të Shqipërisë në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti Bajram Begaj është takuar edhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.
Begaj njofton se në takim ka shprehur vendosmërinë e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet e partneritetit strategjik me SHBA dhe për të eksploruar të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik dhe lidhjet e forta midis dy vendeve.
Gjithashtu mësohet se në takimin me Escobar u vu theksi te domosdoshmëria e uljes së tensioneve në marrëdheniet Kosovë-Serbi dhe nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA.
Begaj ka shtuar në takim me ndihmës sekretarin e SHBA se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i ngushtë i SHBA-ve për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.