Disa ditë pas arrestimit të 33-vjeçarit Hekuran Murtaj për “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve” policia ka zbuluar edhe një parcelë me drogë.
Murtaj ishte plagosur në Livadhja me një armë zjarri “Kallashnikov” që ai e mbante pa leje. Pas plagosjes, vëllai dhe një shok i tij ishin siguruar për fshehjen e armës së zjarrit për të mos u zbuluar nga policia.
Gjatë kontrollit të celularit policia zbuloi edhe një shkelje tjetër të 33-vjeçarit. Në telefon u gjet një video e regjistruar në datën 2 gusht 2023, 17 sekonda e cila tregon disa bimë të dyshuara narkotike “cannabis sativa” në mes të disa shkurreve dhe një video tjetër 23 sekonda, e cila tregon të njëjta pamje.
Pas kontrolleve me dron në zonë u bë gjetja e parcelës e cila ndodhej në afërsi të lumit Pavilo në anë të fushave me misër.
Në këtë territor ku u zbuluan bimët narkotike u gjetën dhe u sekuestruan me cilësi e provës materiale një bidon plastik 0.5 L me mbishkrimin “ZAGORI”, dy qese plastmasi me ngjyrë të bardhë, si dhe disa rroba të cilat u dërguan për ekzaminim laboratorik”.
Megjithatë Prokuroria duket se ende nuk ka ngritur akuzën e “kultivimit të bimëve narkotike” ndaj Murtajt, në pritje të ekspertizës nga Tirana.
Ai ndërkohë është lënë në masën “Arrest në burg” nga Gjykata për veprën penale “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, ndërkohë që shoku i tij Luan Ramaj është në masën “Arrest në shtëpi” ndërsa i vëllai Mullez Murtaj është lënë i lirë në masën “detyrim paraqitje”.