Dy persona nga Maqedonia janë shpallur në kërkim, pasi i dogjën makinën një vajze në Tiranë në zonën e “Unazës së Re”. Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve hetimore të thelluara për një djegie automjeti të ndodhur më datë 04.01.2024, në rrugën “Astrit Losha”, e cila fillimisht u raportua si ngjarje aksdentale, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fire”.
Në kuadër të tij u bë shpallja në kërkim e shtetasve F. T., 37 vjeç, dhe M. S., 27 vjeç, të dy banues në Maqedoninë e Veriut.
Nga veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 04.01.2024, në rrugën “Astrit Losha”, për motive të dobëta, kanë djegur automjetin e shtetases Xh. T” njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.