Rusia planifikon të mbajë manovra që simulojnë përdorimin e armëve bërthamore në fushëbetejë, njoftoi të hënën Ministria ruse e Mbrojtjes, disa ditë pasi Kremlini reagoi me zemërim ndaj komenteve të zyrtarëve të lartë perëndimorë për luftën në Ukrainë. Disa ditë më parë, Moska gjithashtu paralajmëroi për një përshkallëzim të tensioneve me Perëndimin.
Stërvitjet janë në përgjigje të “deklaratave provokuese dhe kërcënimeve të disa zyrtarëve perëndimorë ndaj Federatës Ruse”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një deklarate.
Kjo është hera e parë që Rusia njofton publikisht stërvitje që përfshijnë armë bërthamore taktike, megjithëse forcat e saj bërthamore bëjnë rregullisht stërvitje. Armët taktike bërthamore përfshijnë bomba ajrore, raketa bërthamore me rreze të shkurtër veprimi dhe municion artilerie për përdorim në fushëbetejë. Ato janë më pak të fuqishme se raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore, që mund të shkatërrojnë qytete të tëra.
Njoftimi rus dukej se ishte një paralajmërim për aleatët perëndimorë të Ukrainës që të mos përfshihen më thellë në luftën mbi dyvjeçare. Disa nga partnerët perëndimorë të Ukrainës kanë shprehur më parë shqetësimin për përshkallëzimin e konfliktit mes frikës se ai mund të përhapet përtej Ukrainës, duke çuar në një konfrontim të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë.
Presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti javën e kaluar se ai nuk përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë dhe Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron tha se forcat e Kievit do të jenë në gjendje të përdorin armët britanike me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë. Disa vende të tjera të NATO-s që e furnizojnë Kievin me armë e kanë kundërshtuar këtë.
Kremlini i cilësoi ato komente të rrezikshme, që përshkallëzojnë tensionet mes Rusisë dhe NATO-s. Lufta tashmë ka tendosur marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit./VOA