-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: ‘Salianjë’ ka mjaft opozita, ashtu si edhe shumica

Kryesoret

Salianji, njeriu që do të mbahet mend si militanti i Bashës me hu në dorë duke sulmuar përkrahësit e Berishës, por edhe si sajuesi i njërës nga dëshmie më poshtëruese në politikën shqiptare, përzierja e politikës me llumin për të ngjitur shkallët e karrierës, çështja e njohur si “Babale”, tashmë është i burgosur dhe pritet të vuajë dënimin prej një viti, sa është vendosur në formë të prerë në dy shkallët e gjyqësorit.

Pas më shumë se katër viteve, kur gjyqi shtyhej, pasi ai ishte një herë i sëmurë, pastaj avokati i tij, më tej, përsëri ai, e përsëri avokati, kur i duhej të udhëtonte pikërisht në ditën e gjykimit apo ishte i bashkërrugëtuar , i mendoi të gjithë hapat e tij në ditët e fundit, megjithëse kishte besuar deri në fund se presioni i një grupi deputetësh opozitarë, mbi trupën gjykuese, ishte i mjaftueshëm për të zhbërë çdo lloj dënimi ndaj tij.
Ishte si një lloj shfaqje burleske, ku përziheshin rolet, pastaj ndaheshin përsëri dhe ku, në të gjitha pamjet duhej të ishte ai, në lloj Lej Feni i kohëve moderne, që aspironte të kthehej në mitin e partisë së tij.

Nuk kishte gjë më poshtëruese për mijëra burra e gra të opozitës , të cilët, në 12 vite, si ndodh në çdo lloj rotacioni të pushtetit, kishin hequr mbi vete shumë më tepër se sa një lojë me “ hapa, dollapa”, që nuk ishte asgjë tjetër, veçse akti i fundit i një komedie që kishte përgatitur me ngut, i gëzuar se do të dilte në skenë si njeriu që denoncon, kur në të vërtetë, çdo gjë ishte e ngritur mbi mashtrimin, lojën me atë që duan ta quajnë liria e fjalës, e aq m tepër, liria pa kontroll e deputetit.

Ne jemi ndoshta nga të vetmet vende që synojnë BE dhe në të cilën deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për fjalën e thënë në Kuvend, e aq më tepër, as për fyerjet, sharjet, sajesat, rrahjet, poshtërimet. Në fakt, ai stan, atë bulmet ka.

Salianji dhe ata që deshën të luajnë lojën e një tragjedie, dhe që po synojnë ta kthejnë në tragjedi, duke ndarë rolet harruan se një fije peri i hollë e ndaj tragjedinë nga komedia dhe se nga soji i tyre, rioshët që mbushën opozitën me frymën e përllogaritjeve vetjake, nuk mund të dalë asnjë hero, asnjë mit, asnjë shembull, asnjë që duhet ndjekur dhe asnjë vizion.

Të mbetur në botën që kanë tej vizuales së përditshme, ata bëjnë fillimisht llogarinë për vete, mendojnë çastin se kur do të duken si heronjtë e viteve të shkuara, gjestin me të cilin mund të mbesin në kujtesën e militantëve, fjalët e forta që duhet të thonë, të dëshmojnë se janë një për të gjithë dhe të gjithë për një, kush do të jetë primari dhe kush do e mbështesë atë.

Një komedi që u luajt për disa vite në heshtje dhe u shfaq për disa ditë, e plotë, qesharake, tallëse, e dërmuar, e asnjë çast heroik, megjithëse u përpoqën ta kthejnë në heroike dhe të gjejnë heroin e tyre.

Salianji nuk është në asnjë çast të vetëm hero i opozitës. Nëse dikush në këtë kamp mendon se ai është heroi i tyre dhe se burgosja e tij mund të frymëzojë njerëzit për të përmbysur qeverinë, kjo do të thotë se aty asgjë nuk është mësuar dhe se çdo gjë e së shkuarës është harruar. Salianji mund të frymëzojë ndonjë studio televizive, që për faqe të zezë solli shëmtinë e medias sonë, analistë që kërkojnë shembullin edhe në të keqen, por jo një lëvizje politike që synon pushtetin.

Është ditur që në krye të herës që e gjithë ajo që ndodhi me çështjen “ Babale” ishte sajesa e radhës e opozitës, që e lodhur nga idetë dhe nga mungesa e vizionit, e lidhur pas një birboje politik, si ishte Basha dhe me mbështetje pas perdeve të Berishës, nuk gjente asnjë rrugë tjetër për të ardhur në pushtet, veç duke shfrytëzuar opozitën për përfitime vetjake dhe duke ngritur sajesa politike për të dërmuar njërën nga figurat që po drejtonte atë çka ata e kishin tmerr, reformën në drejtësi.

Nuk e menduan se Zoti Xhafa kishte aq shumë dinjitet, sa do të përmbyste gjithë strukturën e ngritur prej tyre, do të kishte durimin të priste të vërtetën, që e dinte që në krye të herës, nuk do të ndërhynte asnjë çast në strukturat e drejtësisë, dhe, kur, më në fund , vendimi u dha, as nuk brohoriti, as nuk thirri “ fitore”, çka ndodhi me opozitën, kur shumica e majtë, përmes një marrëveshje të heshtur, ia dhuroi vulën dhe godinën e opozitës.

Një nga çështjet më banale të politikës sonë, ku ishin premtuar 200 mijë euro për një figurë që Vlora e përbuzte, nuk do të kishte përfundim tjetër, veçse një të burgosur ordiner që vinte nga politike, dhe disa të tjerë që u joshën nga paratë e premtuara.

Synimi i disa krerëve të opozitës, si zakonisht të prirë nga rioshët e saj, që nuk kanë as hallin e Salianjit, as të Gridës, as të Berishës, as të militantëve, për të radikalizuar situatën, për të sjellë situatë të pa precedent në politikën e një vendi, nuk është zgjim i çastit. Është më tepër se kaq.

Atyre u duhet të paraqiten radikalë, pasi , edhe vetë opozitës, pak kush i beson se e kanë sinqerisht luftën e tyre. Pasi, pak vite më parë, ishin pikërisht këto rioshë që veshën me hekur dyert e godinës së partisë, vendosën roje dhe morën përsipër të godasin “ kundërshtarin”, në gjirin e së cilit janë përkohësisht sot. Ideja e ngujimit në selinë e partisë, për të kundërshtuar shtetin, një ide e hershme e kësaj opozite, nëse disa vite më parë kishte pas vetes akte tragjike, të krijuara na vetë ato, tani do të mbronte njërën nga çështjet më qesharake të politikës sonë.

Ngujimi dhe kundërshtimi me forcë do të saktësonte se kemi të bëjmë me një forcë politike, e cila, ka në embrionin e saj dhunën, kundërshtinë, përplasjen dhe , në fund, vrasjet.

Salianji nuk i shpëtoi fytyrën vetes dhe opozitës me dorëzimin e tij, si shkruan njëri nga analistët më të njohur në vend. Ai, salianji, e dinte fare mirë , më mirë edhe se bashkë rrugëtarët e tij, se qëndronte në themelin e këtij krimi që kishte ndodhur dhe se dënimi i tij ishte i pakët. Ai e dinte dhe vazhdon ta dijë se akti i tij ishte një rrugaçëri politike, thjesht ordinere, që bëhet nga shantazhistë amatorë, të ngutshëm për të bërë emër, të gatshëm të jenë kamikazë të partisë së tyre dhe, kur e kuptojnë se komedia mori fund, mendojnë të bëjnë për disa çaste rolin e heroit.

“Salianjë” ka mjaft opozita, ashtu si edhe shumica. Por, nëse ky i fundit u sul si një dem i tërbuar, pa e vrarë mendjen se mund të ketë pasoja, të tjerë, pas tij, u dëshmuam më të mençur, e dinin se dënimi i kolegut t tyre do të ishte si një nga çështjet më ordinere, si ata shantazhistët që shfaqen në emër të politikanëve të njohur për të grabitur një grusht parash nga oligarkët e pasur.

Është e turpshme për një opozitë që të kap një çështje si kjo, kaq të rëndomtë dhe të bëjë flamurin e sa me leckat që lë pas një mashtrim i njohur. Një mashtrues i vockël, që mendoi se u bë deti kos dhe luga e tij do të ishte më e madhja.

Një opozitë që ngashërehet pas një mashtruesi nuk ka as vizion, as forcë për të përmbysur pushtetin. Nëse dikush në radhët e tyre, që nga ata të fshehur në bodrume dhe deri në katin e tetë mendon se me çështjen “ babale” mund të detyrojë shefin e qeverisë të bëjë një qeveri teknike, ata, ose nuk dinë se çfarë është qeverisja, ose besojnë në ëndrrat e tyre, ose , në fund të fundit, ende nuk e kanë kuptuar se sa i dashuruar me pushtetin është shefi aktual i qeverisë.

Ai zotëron aktualisht rreth 390 mijë vota më shumë se kjo opozitë, e copëtuar, e grindur mes vetes, e përleshur, e hesape të pa mbyllura, dhe me një pjesë që pret me gojë hapur ofertën e qeverisë të jetë në listat e saj të ardhshme.

Një tufë deputetësh që rendin në sallat e gjyqeve si të jenë bandë ordinere, që merr një flamur të grisur për ta bërë sinjal lufte, dhe që përlotet kur janë me të dënuarin dhe buzëqeshin sapo ai largohet, që gëzohen që iku ai, dhe jo një tjetër prej tyre, kjo nuk e meriton të kthehet në pushtet dhe nuk ka shanse të kthehet.

Të luftosh në flamurin e një banditi ordiner do të thotë ta kthesh vizionin e partisë në banditizëm. Një opozite të vërtetë nuk do t’i duhej kjo./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit