Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një komunikim të rëndësishëm për bashkëatdhetarët që ndodhen në Greqi dhe që janë përfshirë në procesin e votimit për zgjedhjet e ardhshme. Në mesazhin e tij, ai informon se për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Athinë, Selanik dhe qytete të tjera greke nga dita e hënë, më 5 maj 2025, deri të premten më 9 maj, njësitë postare të kompanisë DHL do të ofrojnë shërbim me orar të zgjatur për të lehtësuar kthimin e fletëve të votimit.
Ndërkohë, për shqiptarët që jetojnë në ishujt grekë, është përcaktuar një afat më i hershëm. Kryeministri nënvizoi: “Për shkak të pamundësisë së kompanisë për të transportuar me avionë në kohë dërgesën tuaj përtej 24 orëve të ardhshme, data përfundimtare për të kthyer zarfet tuaja është dita e martë, 6 maj.” Ai shtoi gjithashtu: “Ju lutemi, dorëzoni zarfin tuaj sa më parë në DHL, Speedex ose Courier Center, që vota të mbërrijë në kohë në Shqipëri.”
Në mbyllje të deklaratës, Rama i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e votës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje për të ardhmen europiane të vendit. “Për mua dhe Partinë Socialiste, që i dhamë dinjitetin e munguar flamurit dhe emrit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, e që bashkë me ju do t’i japim Shqipërisë e çdo shqiptari edhe statusin e ri të qytetarisë europiane, si anëtarë më në fund të barabartë së Shteteve të Bashkuara të Europës.”









