Sot në mesnatë përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi çdo veprim për konstituimin e Kuvendit pas dështimeve të njëpasnjëshme nga deputetët për të zgjedhur kryetarin.
Ndërkohë, pritet publikimi i aktgjykimit të ri të Kushtetueses, që do të përcaktojë rrugën për të ardhmen institucionale të vendit.
Albin Kurti ka theksuar se do ta respektojë çdo vendim të gjykatës.
Situata mbetet e tensionuar edhe për shkak të përfshirjes së gjyqtarit Radomir Llaban si raportues në një nga kërkesat, çka ka shtyrë Presidenten Osmani ta tërheqë kërkesën e saj, duke përmendur shqetësime serioze për sigurinë kombëtare.
Kosova ndodhet në një ngërç institucional prej mbi pesë muajsh nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me dështime të përsëritura për të konstituar Kuvendin dhe për të formuar institucionet e reja.









