-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Agim Nesho: Të qoftë për hajër zoti Rama

Kryesoret

Pas zgjedhjeve të manipuluara dhe farsës së 11 Majit, cdo takim i Ramës me institucionet e shtetit Shqiptar duken qesharake, se është vetëm ai që përcakton dhe vendos funksionimin e tyre. Sot, në takimin vjetor të konferencës së ambasadorëve Shqiptarë, dukej i lodhur, i ezauruar në ide, pa humorin që i lind natyrshëm kur ndjehet i sigurtë. Aq pak mesazhe dhe e cekët ishte paraqitja e Ramës, sa edhe mediat më pro qeveritare kur bënë sintezën e fjalës së kryeministrit e përmblodhën në dy rreshta “Kryeministri foli për sukseset e diplomacisë që ambasadorët duhet ti shfrytëzojnë?!, mangësitë në diplomacinë ekonomike dhe se ambasadorët duhet të ngrihen më herët dhe të flejnë më vonë”!!!

Qesharake dhe e turpshme për një kryeministër kur raste të tilla njihen për domosdoshmërinë e shpalosjes së prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë në periudhën e ardhshme. Ai nuk tha asgjë as për situatën gjeopolitike sot në botë, as gjendjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe shkallën e funksionimit të demokracisë, nuk foli fare për Kosovën dhe politikat kombëtare në mbrojtje të sovranitetit të saj, ndalimit të ambicieve të nacionalizmit serb e deri te raportet e domosdoshme që duhen vendosur me SHBA dhe rolin e tyre në përpjekjen e ethshme të fuqive të tjera revizioniste që duan të ndryshojnë rendin botëror.

Por Rama duket që nuk ka cfarë të thotë, se protagonizmi i tij i tepruar e ka çorientuar politikën e jashtme të Shqipërisë dhe e ka kthyer Shqipërinë në një shtet klientelist që i shërben vetëm qëllimeve të pushtetit të tij.

Së pari, Rama e ka të vështirë të përcaktojë politikën e jashtme me SHBA-në, kur Administrata e Presidentit Trump është kritike me Ramën për kthimin e Shqipërisë në një platformë eksperimentale të politikave të Soros, të kapjes së drejtësisë dhe përdorimin e saj për qëllime politike; të kanabizimit të vendit dhe bashkëpunimin me krimin e organizuar; të kthimit të Shqipërisë në një lavatrice për pastrimin e parave të pista e deri në problematikat që lidhen me fjalën e lirë dhe kontrollin e mediave. Dhe në vend për të reflektuar, Rama i trembur sot ka dalë në pararojë për të kritikuar SHBA-në si në takimin e Romës, ku deklaroi që “nuk presim të na mësojnë vende të tjera për sigurinë europiane”; në samitin e Bled-it ku u shpreh se “Europa nuk duhet ta lërë NATO-n pa një shtyllë kurrizore”, kur dihet që shtylla kryesore ka qenë dhe do të jetë SHBA. Për fatkeqësinë e kombit tonë, Rama ka mbetur peng i veprimtarisë korruptive të McGonigal dhe kërkon ta largojë orientimin nga SHBA, për të qenë i përgatitur për impaktin që shpejt a vonë do të vijë për të.

Së dyti, Rama nuk flet për Kosovën se vetë politika e tij ndaj cështjes kombëtare ka qenë ajo e një argati të Beogradit. Ai ka qenë bashkë-themelues me Vucic për Ballkanin e Hapur dhe ndryshimin e kufijve; ka mohuar Veriun e Kosovës si tokë e askujt për ti dhënë kartën Vucic për një konflikt të ngrirë në Veriun e Kosovës dhe rikthimin e cështjes për diskutim. Ishte e turpshme në samitin e Bled-it, kur Kryeministrat e Kroacisë dhe Sllovenisë flisnin për rrezikun e provokimeve të nacionalistëve serbë në Banjskë, ndërsa kryeministri ynë tallej me shqiptarët duke thënë se “ne jemi besnikë dhe kështu kemi qenë me Perandorinë Osmane, me Bashkimin Sovjetik, dhe kështu do të jemi edhe me Europën”. Me pak fjalë, merruni me mua, “një udhëheqës i madh për një popull të vogël”, se populli është turmë.
Por cilat ishin mesazhet e Ramës në takimin e Ambasadorëve:

Së pari, Shqipëria ka fituar një respekt në arenën ndërkombëtare (nga lideri global Rama) dhe ushtarët diplomatikë duhet ta shfrytëzojnë. Këtu tregohet raporti real i një diplomacie të personalizuar me institucionin e diplomacisë që i shërben interesave të shtetit.
Së dyti, integrimit europian i Shqipërisë i shpjeguar vetëm nga cilësia e ekipeve që punojnë për këtë gjë sesa përmbushja e kritereve për tu integruar. Për Ramën nuk ka më vëmendje për 2027 dhe mbylljen e negociatave sic premtoi, por vetëm për vizionin e Shqipërisë 2030.
Së treti, për mosfunksionimin e diplomacisë ekonomike. Kjo lloj diplomacie nuk mund të funksionojë kur nuk ka një strategji të qartë për zhvillimin e vendit por i vetmi angazhim është turizmi. Nga ana tjetër koncesionet, mungesa e transparencës, dhënia e licensave pa garë të barabartë, tregon se ekonomia është pronë ekskluzive e pushtetit dhe klientëve të tij. Pjesa më interesante në këtë paraqitje ishte ngritja e nivelit të bashkëpunimit me vendet arabe, në të njëjtin nivel me BE, ku Shqipëria pritet të integrohet.

Së katërti, evidentimi i shqiptarëve të suksesshëm në botë nga institucionet përfaqësuese shqiptare. Kjo gjithmonë mbetet në pjesën e demagogjisë për zotin Rama, dhe nevojën për të kaluar situatën. Pyetja shtrohet që këta shqiptarë të talentuar do ti shërbejnë interesave të vendit apo do të bëhen pjesë e enturazhit të Ramës dhe regjimit të tij. Ku janë gjithë ata shqiptarë të suksesshëm që Rama i ka përdorur? Duke filluar me Rudina Seserin, financieren e talentuar nga SHBA, ministren e informacionit Milena Harito që e mori nga Franca, e deri te deputeti i Dibrës i ardhur nga Londra, zoti Krashi, dhe shumë të tjerë të niveleve të dyta që kanë ikur menjëherë duke njohur këtë regjim të korruptuar dhe qesharak.

Së pesti, politika e jashtme shqiptare ka mbetur peng vetëm e dukjes dhe e përgatitjes për samite. Rama insistoi sot për kujdesin që duhet të kemi për samitin e ardhshëm të NATO-s, por Shqipëria nuk mund të mbetet vetëm një “mazhordom” i përgatitjes së samiteve, si deri tani, por të prodhojë ide dhe shfrytëzojë samite për të realizuar politikat e saj kombëtare. Diplomacia Shqiptare ka humbur shansin e madh të saj dhe të pashfrytëzuar kur ishte anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB për cështjen e Kosovës.
Takimi i sotëm i Ramës me ambasadorët shqiptarë tregoi një kryeministër të lodhur dhe të çorientuar. Por takimi kishte një pikë kulminante që Rama po i tregonte “dhëmbët” Administratës Trump: Shpalosja e eksperiencës dhe orientimet që duhet të marrë diplomacia Shqiptare nga përfaqësuesi i Fondacionit Soros. A është kjo përkrahje për Alex Soros, apo goditje për politikat e Presidentit Trump?
Të qoftë për hajër … zoti Rama.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit