Një punonjës policie u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim prej vitesh në fshatin Podenë, në Bashkinë Maliq. Polici i Shqiponjave Enea Mekolli humbi jetën dhe efektivi Edison Adri mbeti i plagosur rëndë pas përplasjes me armë me Violand Braçellarin, i cili gjithashtu mbeti i plagosur.
43-vjeçari Violand Braçellari jetonte në pyll, pranë stanit. Ai ishte një ish-ushtarak, i rrezikshëm për banorët e zonës dhe në kërkim nga policia e Vlorës për kultivim narkotikësh. Dyshohet se autori fshihte edhe arsenal armësh në stan dhe qëndronte gjithmonë i armatosur. Ndër vite i ka ikur disa herë RENEA-s.
Për të ka pasur një vendim gjyqësor për dënimin me 10 vite burg të Braçellarit për “prodhim dhe shitje narkotikësh”. I dënuar nga Gjykata e Korçës në 2017, dënim i lënë në fuqi edhe nga Apeli e Gjykata e Lartë.









