-sidi education-spot_img
17.9 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bardhi ironizon Ramën: Sot ka gjetur një armik të ri, iranianët

Kryesoret

Polemikat politike rreth protestave për Zvërnecin vijojnë të përshkallëzohen. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë se po përpiqet të justifikojë pakënaqësinë qytetare përmes teorive të ndryshme mbi organizatorët e protestave.

Bardhi theksoi se shkaku i reagimeve publike lidhet me mënyrën se si janë trajtuar protestuesit dhe me pakënaqësitë ndaj qeverisjes, ndërsa i kërkoi Ramës të marrë përgjegjësi politike dhe të largohet nga detyra.

Postimi i Bardhit:

Dëgjojeni vetë Kryeministrin e Shqipërisë në ç’gjendje është katandisur. Viktimizohet dyerve të botës, pse shqiptarët i kërkojnë dorëheqje.
Me teorinë e tij të viktimizimit, na paska gjetur një armik të ri të jashtëm. Ditën e parë na tha se protestat në Zvërnec u nxitën nga fqinjët që na kanë zili. Domethënë armiku i jashtëm ishte Greqia. Pastaj na tha se pas protestës qëndrojnë myslimanët e zemëruar për Gazën. Sot ka gjetur një armik të ri: iranianët.
Në vetëm pesë ditë kemi kaluar nga Greqia, te Gaza dhe Irani. Me këtë ritëm, së shpejti do të shohim në protestë vetë Vladimir Putinin. Dhe kur të kalojë edhe pak kohë, ndoshta do të mësojmë se White Walkers dhe Night King janë nisur të pushtojnë Shqipërinë.
Çfarë mjerimi për një kryeministër që nuk merr dot asnjë përgjegjësi, por e gjen gjithmonë fajtorin jashtë vetes!
Protestat nuk nisën as në Athinë, as në Gaza, as në Teheran. Protestat nisën nga Zvërneci në Tiranë dhe po ndodhin tani edhe në kryeqytetet e Europës ku jetojnë shqipëtarë, sepse në Zvërnec policia lejoi që protestuesit të tërhiqeshin zvarrë, siç ndodh rëndom në qeverisjen e Edi Ramës me kundërshtarët politikë. Dhe kjo skenë s’ka asnjë ndryshim me atë që ndodh në Teheran me kundërshtarët e regjimit atje.
E vërteta më e madhe në të gjithë këtë histori është i vetmi sulm nën të cilin ndodhet Shqipëria është ai i korrupsionit të shfrenuar nën qeverisjen e Edi Ramës. Prandaj, njerëzit janë në protestë dhe kërkojnë largimin e kryeministrit nga detyra.

Dhe në fund një këshillë për Edi Ramën. Duke parë komplote dhe konspiracione kudo, nuk bën gjë tjetër veçse i ushqen ato dhe, dashje pa dashje, nxit ose bëhesh pjesë e skenarëve kundër Shqipërisë. Prandaj, në vend që të viktimizohesh dyerve të botës, eja në zyrë dhe jep dorëheqjen. Shikoje edhe si një terapi për veten. Sot m’u duk vërtet se ke nevojë për shumë pushim të pakthyeshëm.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit