Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të votës gjatë fazës së numërimit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti u shpreh se tashmë vullneti i qytetarëve ndodhet në kutitë e votimit, ndërsa përgjegjësia kalon te komisionerët dhe vëzhguesit e procesit zgjedhor.
“Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor. Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, shkroi Kurti.









