Dalin detajet e reja lidhur me 10 masat e sigurisë të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) kundrejt një grupi kriminal të cilët operonin në fushën e narkotikëve nga Amerika Latine drejt Europës.
Sipas SPAK bëhet me dije se nga 10 të pandehurit për trafikim të lëndëve narkotike, dyshohet se 7 prej tyre ndodhen në Shqipëri.
SPAK bën me dije se gjatë viteve 2019-2020 grupi kriminal ka trafikuar nga Amerika Latine të paktën 50 ton kokainë.
Ndër të tjera SPAK njofton se ka sekuestruar 209 e llogari bankare, 491 pasuri të paluajtshme dhe 150 milion euro.
Masat e arrestit janë lëshuar ndaj:
- Nikoll Bibaj
- Isa Aliu,
- Sokol Bibaj
- Florjan Musaj
- Armando Pacani
- Denis Matoshi
- Naldi Yzeiraj
- Oklid Aliu
- Dritan Gjika
- Shpëtim Aliu
Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike
Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet e kryera është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë.
Gjatë hetime janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:
Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Ëaasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.
Episodi 2 – 6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).
Episodi 3 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020– Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 5 – 03 shkurt 2021– Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .
Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.









