-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Testi parë, SHBA ballafaqohet me Iranin në Zvicër

Kryesoret

Ai që ishte paraparë të ishte angazhimi i parë teknik ballë për ballë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pas memorandumit të mirëkuptimit, është shndërruar në një test të hershëm për të parë nëse angazhimi i brishtë diplomatike mund t’i mbijetojë presioneve të një lufte më të gjerë rajonale.

Bisedimet, të cilat pritej të zhvilloheshin në resortin Burgenstok në Zvicër, me Katarin dhe Pakistanin që do të ndihmonin në lehtësimin e procesit, u shtyn papritur më 19 qershor, vetëm disa orë pasi zyrtarë të lartë kishin nisur të sinjalizonin për gazetarët se takimi pritej të mbahej sipas planit.

Më pas, planet ndryshuan.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, që pritej të udhëhiqte delegacionin amerikan, shtyu udhëtimin e tij.

Ministria e Jashtme e Zvicrës konfirmoi se bisedimet ishin shtyrë, të paktën tani për tani.

Irani tha se nuk kishte “urgjencë” për angazhim të menjëhershëm, duke argumentuar se memorandumi fillestar veçse është nënshkruar në mënyrë digjitale dhe se faza e ardhshme do të varej nga zbatimi i kushteve për të cilat palët janë pajtuar.

Mesazhi nga të gjitha palët ishte: Kjo është vetëm shtyrje, jo kolapsim i përpjekjeve.

“Fjala kyç këtu është ‘shtyrje’ dhe jo ‘anulim’”, tha për Radion Evropa e Lirë Dr. Gorana Grgic, drejtuese e Ekipit për Siguri Globale në Qendrën për Studime të Sigurisë në Cyrih.

Zyrtarët zviceranë duket se ndajnë të njëjtin qëndrim. Ministria e Jashtme e Zvicrës bëri të ditur se puna përgatitore në Burgenstok po vazhdon, duke lënë të kuptohet se të gjitha palët ende synojnë t’i rikthehen tryezës së bisedimeve.

Kjo ka rëndësi, sepse Zvicra ka luajtur prej kohësh një rol unik në diplomacinë mes SHBA-së dhe Iranit. Që nga ndërprerja e marrëdhënieve zyrtare pas Revolucionit iranian të vitit 1979, ky shtet ka shërbyer si fuqi mbrojtëse e Uashingtonit në Teheran dhe si një kanal kyç komunikimi.

Grgic tha se roli i Zvicrës shpesh keqkuptohet.

Kanalet jozyrtare diplomatike

“Zvicra po vepron si një qendër për negociata”, tha ajo, duke theksuar se shteti funksionon më pak si ndërmjetës i drejtpërdrejtë dhe më shumë si lehtësues i procesit, duke qenë mikpritës i bisedimeve, duke ruajtur kanalet e komunikimit dhe duke mundësuar kontaktet përmes kanaleve jozyrtare.

Këto kanale në prapaskenë mbeten thelbësore.

“Ka shumë kanale jozyrtare që çojnë si drejt Uashingtonit ashtu edhe drejt Teheranit”, tha Grgic. “Dhe, ato kanë qenë aktive gjatë gjithë këtij procesi”.

Edhe kjo arkitekturë më e gjerë diplomatike ka evoluar. Teksa Gjeneva tradicionalisht ka qenë qendra e diplomacisë shumëpalëshe, ndërmjetës të rinj kanë hyrë në lojë. Katari është bërë një aktor gjithnjë e më i rëndësishëm, ndërsa Pakistani është shfaqur si një ndërmjetës alternativ, një rol që dikur lidhej më shumë me Omanin.

Ky numër gjithnjë në rritje i lehtësuesve të procesit pasqyron si kompleksitetin, ashtu edhe urgjencën e momentit.

Edhe sipas standardeve zvicerane, 19 qershori ishte një ditë kaotike. Ajo që nisi nën qiellin e kthjellët në Cyrih përfundoi me atë që Grgic e përshkroi si një “stuhi historike”, aq e fuqishme sa përmbyti stacionin kryesor të trenave të qytetit.

Për diplomatët që po ndiqnin zhvillimet që po ndodhnin, kjo dukej si një metaforë e përshtatshme për situatën.

Vijat e kuqe

Shtyrja e bisedimeve vë në pah një realitet të njohur të diplomacisë SHBA-Iran: kornizat e marrëveshjeve shpesh janë më të lehta për t’u ruajtur sesa marrëveshjet përfundimtare. Në qendër të kësaj pasigurie ndodhet Libani.

Ministria e Jashtme e Iranit tha se negociatat për një marrëveshje përfundimtare varen nga zbatimi i “kushteve të përcaktuara” në memorandumin e mirëkuptimit – gjuhë që diplomatët e interpretojnë gjerësisht si të lidhur me stabilizimin e frontit libanez.

Kjo ndërlidhje e ka ndërlikuar gjithçka.

Zyrtarë të lartë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se në fakt, nuk ka një armëpushim “të ri” midis Izraelit dhe Hezbollahut. Ajo që u njoftua publikisht ishte riaktivizimi i një armëpushimi të arritur më parë, i cili kishte qenë pranë dështimit pas disa ditësh dhune intensive.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që mbështetet nga Irani dhe që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor, konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë politike.

Një burim izraelit i mirëinformuar tha se Hezbollahu kishte kërkuar me urgjencë rikthimin e kushteve të armëpushimit pasi sulmet izraelite vranë, sipas Izraelitm “dhjetëra terroristë”, megjithëse në mesin e viktimave në Liban kishte edhe civilë.

Ndërkohë, Uashingtoni po sinjalizon se Libani tashmë është i pandashëm nga situata më e gjerë rajonale.

Përpara bisedimeve që do të zhvillohen javën e ardhshme në Uashington, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i tha presidentit libanez, Joseph Aoun, se Hezbollahu duhet të çarmatoset dhe rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për një shtet sovran libanez që është “në paqe me të gjithë fqinjët e tij”.

Kjo ishte më shumë sesa diplomaci standarde. Ishte një sinjal – si për Bejrutin ashtu edhe për Teheranin – se Uashingtoni e sheh të ardhmen e Hezbollahut si pjesë të çdo zgjidhjeje më të gjerë rajonale.

Ndikimi i Teheranit

Për Teheranin, mbijetesa e Hezbollahut në fushëbetejë nuk është e ndarë nga diplomacia bërthamore.

Farzan Sabet, ekspert për Iranin në Institutin e Studimeve Pasuniversitare në Gjenevë, i tha Radios Evropa e Lirë se shtyrja e bisedimeve nuk do të thotë domosdo se memorandumi fillestar i mirëkuptimit është në rrezik.

“Elementi kryesor i memorandumit të mirëkuptimit është rihapja e Ngushticës së Hormuzit”, tha ai, duke argumentuar se zbatimi i kësaj faze të parë duket se po ecën përpara./ REL

Të dërguarit e SHBA dhe Iranit nisen për bisedime në Zvicër

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit