Gjatë seancës së sotme parlamentare është kërkuar që të zgjidheshin edhe kandidatët për KLGj dhe KLP, por kuvendi nuk kanë arritur të vendosin konsensus.
Ndërkohë edhe pse shumica e kërkuar nuk është arritur janë zgjedhur më 84 vota kandidatët për anëtarë të KLGJ nga trupa e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë.
Ilir Rusi dhe Yllka Rupa do të jenë anëtarët që do të zëvendësojnë Maksim Çokun dhe Erjon Muharremajn në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndërsa sa i përket KLP-së, për njërin vend që mbetet vakant nga kreu aktual Gent Ibrahimi u zgjodh kandidatja Mirela Bogdani, si e vetmja që ishte në garë.
“Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision sipas pikës 7 të këtij neni, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Procedura e detajuar rregullohet me ligj”, thuhet në ligj.
Sipas procedurave ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të drejtësisë, kandidatët nga trupa e pedagogëve përzgjidhen në 2 faza: së pari nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë (fakultetet e drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës) dhe së dyti nga një mbledhje e posaçme e rektorëve dhe dekanëve. Kuvendi zgjedh pastaj 2 anëtarë për secilin institucion midis kandidatëve me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.
Kujtojmë e hedhja e shorit në nënkomisionin parlamentar shkaktoi debate politike. PD ka njoftuar se do ta dërgojë në Kushtetuese këtë vendim pasi sipas saj anëtarët e KLP janë të përcaktuar.