Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ashtu si kryeministri Edi Rama pesë ditë më parë, i bën thirrje SPAK-ut që të nisë hetimet për Sali Berishën për akuzat që SHBA e shpalli “non grata”.
Ai tha sot jashtë sallës së parlamentit, që drejtësia duhet të flasë dhe të japë një përgjigje nëse qëndrojnë akuzat e ngritura nga Amerika për ish-kryeministrin.
“A duhet të nisë hetimet SPAK për personat e shpallur “non grata”? Normalisht po. Kjo është një pyetje që i jam përgjigjur edhe më parë.
Nëse ka një akuzë kaq të rëndë, detyra e drejtësisë është që të hetonte prej kohësh dhe të jepte një përgjigje shteruese për këtë” ishte kërkesa e tij.
I pyetur nëse ka vizë për në SHBA, Lulzim Basha u dha fund aludimeve duke theksuar nuk ka. “Kam pasur një vizë prej kohësh dhe nëse do të më duhet, do ta kërkoj dhe do ta marr prapë.
Zoti Escobar më ka ftuar për një vizitë në cilësinë e kryetarit të PD-së, që e kam pranuar, zhvillimet kanë qenë të vrullshme, por me shumë kënaqësi unë do të vazhdoj kontaktet me përfaqësuesit e SHBA-së duke hedhur poshtë cdo trillim dhe shpifje që synon të baltosë këtë betejë parimore për demokratët” tha ai.