Është miratuar masa e përjashtimin për deputetët Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.
Ditën e djeshme Partia Socialiste dorëzoi kërkesën në Kuvendin e Shqipërisë për ta përjashtuar Edi Palokën dhe deputetin Bujar Leskaj për 10 ditë nga seancat plenare. Kjo pasi sipas tyre dy deputetët e PD-së shkelën etikën duke konsumuar alkool në kuvend.
Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me fyerjen e etikës parlamentare, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 10.11.2022, nga dy deputetët, z. Bujar Leskaj dhe z. Edi Paloka.
Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro dhe 2 Kundër, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 (dhjetë) ditë” për deputetët z. Bujar Leskaj dhe z. Edi Paloka.
Të dy deputetët e kanë mohuar akuzën se ishin të dehur, ndërsa në lidhje me sjelljen të konsideruar jo etike, Paloka është shprehur se ka marrë hak për kolegët, pasi Rama të mërkurën i ofendoi.









