-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Takimi në Bruksel, BE: Kosova dhe Serbia të gatshme të vazhdojnë me zbatimin e Marrëveshjes

Kryesoret

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit e këtyre dy vendeve.

Në tryezën e bisedimeve ishte propozimi i BE-së, i titulluar “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiçit në muajin mars.

Propozim-marrëveshja që u bë publike pas takimit, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Marrëveshjet e deritashme përfshijnë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.

Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiq insiston në themelimin e tij.

Kurti: Jemi në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve

Pas takimit, Kurti konfirmoi se palët kanë rënë dakord për përmbajtjen e propozimit evropian.

“Ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.

“Unë nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për të nënshkruar. Unë mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, shtoi ai.

Sa i përket gatishmërisë së tij për të zbatuar Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti tha se për këtë ka folur më herët.

“Ai është neni 10, është fjalia e fundit e praktikisht nenit të fundit dhe për këtë gjë tash jam përgjigjur”, tha Kurti për gazetarët në Bruksel.

Në fillim të shkurtit, Kurti ka paraqitur disa kushte për themelimin e Asociacionit, të cilat përfshijnë ndërrimin e emrit të tij dhe mosbartjen e asnjë pushteti publik apo ekzekutiv.

Vuçiç: Takim i vështirë

Vuçiç, në anë​n tjetër, tha se takimi me Kurtin ka qenë “i vështirë”. Ai tha se nuk u fol për miratimin ose mosmiratimin e propozimit të BE-së, por “për krijimin e planit të zbatimit”.

“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.

“Mendoj se është e rëndësishme që deklarata e BE-së të përfshijë domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht, insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Vuçiç.

“Mendoj se zoti Kurti nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë tani. Do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, shtoi ai.

Përpara takimit të përbashkët, Kurti dhe Vuçiç u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë, si dhe me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar tha shkurtimisht për Kanalin 10 të Kosovës se “mbetet ende punë për t’u bërë”.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili i është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë qysh në fund të verës, është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara.

Ky propozim, mes tjerash, përfshin edhe njohjen reciproke të dokumenteve të të dyja vendeve dhe të simboleve kombëtare – mes tyre: pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

“Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mes tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”, thuhet në propozim-marrëveshje.

Dokumenti nuk e parasheh njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, por thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit