Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim tha gjatë një interviste për Zërin e Amerikës se është përgjegjësia e qeverisë dhe e udhëheqësve politikë, që të sigurohen për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve që janë shprehur nga ODIHR-i në lidhje me zgjedhjet e kaluara.
Kjo, tha ambasadorja, përfshin edhe krijimin e listave dhe ofrimin e kandidatëve me integritet. Pritshmëritë e Uashingtonit, tha ambasadorja Kim, janë që Shqipëria do të bëjë më të mirën që të sigurojë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me standardet dhe normat ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Ambasadore Kim, cili është qëllimi i këtij turi në zonat e veriut të vendit, në prag të zgjedhjeve lokale?
Yuri Kim, Ambasadore e SHBA: Po bëj një tur në të gjithë vendin, duke shkuar në çdo cep të Shqipërisë, pavarësisht zgjedhjeve. Siç e dini, jam përpjekur të shkoj në të 61 bashkitë e e këtij vendi të bukur dhe është pjesë e kësaj përpjekjeje.
Zëri i Amerikës: Një fenomen, i përmendur shpesh për zgjedhjet në Shqipëri, është shitblerja e votës nga njëra anë dhe mungesa e transparencës mbi financat e partive politike nga ana tjetër, të cilat dukshëm bëjnë shpenzime të konsiderueshme, por pastaj raportojnë shifra thuajse modeste. Këto fenomene pa dyshim që ju i keni ngritur edhe me zyrtarët shqiptarë në takimet tuaja. Cila është përgjigjia që merrni prej tyre? I pranojnë ata këto, apo janë në pozita mohuese?