Kryeparlamentari kosovar, Glauk Konjufca ka komentuar propozimin e kryeministrit, Edi Rama për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë pas sulmeve në veri.
Konjufca gjatë fjalës së tij u shpreh se nuk i duket ideja më e mirë meqë Kosova nuk është faktor destabilizues, por Serbia sipas tij nuk është e kënaqur me kufijtë e saj.
“Nuk më duket ideja më e mirë: mendoj që faktori ndërkombëtar ka nevojë të ftojë vetëm Serbinë në një konferencë dhe ta bindë që nuk mund të ecim përpara pa njohjen e Kosovës.
Pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe pa e ndryshuar kjo strukturë e pushtetit në Serbi, e cila është sponsorizuese e këtyre grupeve që destabilizojnë gjithë këto shtete, duke filluar prej Kosovës e Bosnjës, Malin e Zi e kështu me radhë, nuk mendoj që mund të ecim shpejt në integrime europiane”, tha ai.
Konjufca shtoi se Kosova nuk paraqet problem për paqen në rajon.