Dërgimi i emigrantëve nga Italia në Shqipëri është “një ide e mirë”, por për Melonin është një “lojë e vogël perfekte”. I ftuar i ‘Piazza Pulita’ në “La7”, ish-kryeministri italian Romano Prodi sulmon Giorgia Melonin për marrëveshjen me kryeministrin shqiptar Edi Rama për krijimin e qendrave të riatdhesimit në Shëngjin.
Për Romano Prodin, marrëveshja për emigrantët e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë bazohet vetëm në një çështje interesash politike. “Elektorati voton për ata që besojnë se duhet të ulin taksat dhe se emigrantët trajtohen keq”, tha ish-kryeministri. “Qeveria nuk është në gjendje të bëjë asgjë për taksat dhe vjen me këtë ide për të dërguar emigrantë jashtë Italisë”.
“Ka lindur kjo komedi interesante. Marr me qira disa hektarë në Shqipëri, ndërtoj një fshat që mund ta kishim ndërtuar lehtësisht vetë me të gjitha garancitë e të gjitha llojeve. Unë u jap mesazhin italianëve se po i largoj emigrantët, por nuk është kështu sepse atje do të duhet të ruhen dhe të disiplinohen nga autoritetet tona”.
Për Prodin marrëveshja është “një gjë shumë e vogël, kushton shumë, por mesazhi politik është shumë i fortë”.“Rama – sqaron ish-kryeministri – “u thotë qytetarëve se me këtë ndihmë për hyrjen e Shqipërisë në Evropë: kontrata është perfekte, emigrantët nuk kanë lidhje me të asgjë, është një gjë e bukur, lojë politike që u kushton shumë qytetarëve tanë.
Secili nga dy liderët i shërben interesave të partisë së vet, ndaj është një marrëveshje e përsosur politikisht që do të kremtohet solemnisht në pragun e zgjedhjeve evropiane”, shtoi ai.









