Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë, në një intervistë tregoi se zyra ndërlidhëse e Rusisë në Kosovë është duke u vëzhguar nga organet e sigurisë, në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e saj në Ukrainë.
Kjo zyrë nisi punën në vitin 2005. Madje, në hapjen e saj kishte marrë pjesë edhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës Bajram Kosumi, në kohën kur vendi administrohej nga Kombet e Bashkuara.
Por, cili është sot funksioni i zyrës ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë që selinë qendrore e ka në lagjen Arbëria të Prishtinës?
Anëtari i Komisionit të Kuvendit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli, thotë se kjo zyrë funksionon nën ombrellën e një akreditimi pranë misionit të UNMIK-ut. Megjithatë, Dugolli shprehet se Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë bashkëpunim me këtë zyrë.
Ai gjithashtu thekson domosdoshmërinë që aktivitetet e saj të monitorohen edhe më shumë nga organet e sigurisë.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se mbyllja e kësaj zyre nuk është në interesin e Kosovës.
Sipas tij, nëse zyrtarët e saj veprojnë kundër interesave të vendit, shteti ynë mund të marrë masa.
Së fundi, kryeministri Albin Kurti në një intervistë tregoi se kjo zyre është duke u vëzhguar nga organet e sigurisë, në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e saj në Ukrainë