Kryeministri Edi Rama i akordoi sot 11 fëmijëve të parë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Kreu i qeverisë pasi shprehu mirënjohjen e thellë për prindërit e tyre që dhanë jetën për mbrojtjen e jetës së të tjerëve tha se statusi nuk është më një zotim, por një risi e veçantë e jetës sonë.
Mes fëmijëve që përfituan statusin ishte edhe djali i mjekut të urgjencës së Korçës, Kujtim Shabani që ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit. Bashkëshortja e tij, në lot, kujtoi fjalët e fundit të doktorit.
“Ju falenderoj pa masë për gjithë mbështetjen. Jam bashkëshortja e Kujtimit dhe bashkëudhëtarja e tij që në moshën 15 -vjeç kur jemi njohur në bankat e shkollës. Ai kishte një ëndërr që e ktheu në qëllim. Ai nuk hoqi dorë në asnjë moment.
Ëndrrën e pati jo vetëm në emër të tij por edhe komunitetit, se pavarësisht nga vjen ti mund t’ja dalësh. I vetmi mësim që ua mësuam fëmijëve, që ta kenë busull në jetë që t’i thonë vetes “ti mundesh”.
Sot ai nuk është por unë kam fjalën e tij të fundit, “në jetë nuk të bëjnë vitet sesa, por mënyra se si”. Kujtimi iku i plotësuar, pavarësisht se iku shumë i ri” tha ajo.