Shtetet e Bashkuara po planifikojnë t’i dërgojnë Ukrainës një paketë municionesh “thërrmuese” për të ndihmuar në kundërsulmin e saj ndaj Rusisë.
Administrata Biden pritet të shpallë paketën këtë të premte, sipas BBC.
Municionet “thërrmuese” janë të ndaluara nga më shumë se 100 vende dhe janë një kategori armësh që përmbajnë bomba të shumta shpërthyese.
Zyrtarët amerikanë thuhet se kishin hezituar të furnizonin Ukrainën me municione “thërrmuese” pasi ato mund të vrasin pa dallim në një zonë të gjerë, duke kërcënuar civilët.
SHBA ka një rezervë të këtyre bombave thërrmuese, të cilat u zhvilluan për herë të parë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Paketa e ndihmës raportohet se përfshin gjithashtu automjete luftarake Bradley dhe Stryker, raketa të mbrojtjes ajrore dhe pajisje kundër minave.
Grupet e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar Rusisë dhe Ukrainës që të mos përdorin municione “thërrmuese” dhe kanë kërkuar nga SHBA që të mos i furnizojnë ato.









