-sidi education-spot_img
22.3 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Serbia shpëton kompaninë kineze nga sanksionet amerikane

Kryesoret

Autoritetet në Serbi duket se nuk po u besojnë doganave amerikane.

Për shkak të dyshimeve për punë me detyrim, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime për importin e bakrit, dhe më herët për gomat e automjeteve, nga dy kompani kineze në Serbi, Zijin Copper dhe Linglong.

Për pretendimet e autoriteteve amerikane për mosdhënien e pagave dhe marrjen e dokumenteve personale, kufizimin e lëvizjes dhe punën e tepërt jashtë orarit të punëtorëve, institucionet përkatëse në Serbi po heshtin.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më shumë shqetësohet për ndalimin e eksporteve.

Megjithatë, Marija Angjellkoviq nga organizata joqeveritare Astra paralajmëroi se nuk është çështja nëse shteti do ta ndihmojë një kompani apo tjetrën për të eksportuar produktet e saj.

“Por, nëse do të sigurojmë që asnjë punëtor në Serbi, pavarësisht shtetësisë, të mos jetë i ekspozuar ndaj punës me detyrim dhe shfrytëzimit”, tha ajo.

Nga kompania Zijin Copper kanë bërë të ditur se i marrin seriozisht pretendimet e autoriteteve amerikane dhe se po i verifikojnë ato.

Kompania ka theksuar se kundërshton të gjitha format e punës me detyrim.

Ndërkaq, Linglong nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse kishte hetuar pretendimet për punë me detyrim në fabrikën e tij në Serbi.

Agjencia amerikane e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit njoftoi më 16 qershor se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e bakrit dhe produkteve të bakrit nga kompania Zijin Copper Serbia.

Disa muaj më herët, i njëjti vendim ishte ndërmarrë edhe ndaj gomave të automjeteve të prodhuara nga Linglong.

Edhe organizata joqeveritare China Labor Watch ka njoftuar se ka dokumentuar raste të punës me detyrim në kompanitë kineze Zijin Copper dhe Linglong në Serbi.

Kompanitë kineze Zijin Copper dhe Linglong janë ndër eksportuesit më të mëdhenj nga Serbia.

Zijin Copper u themelua në vitin 2018, pas marrjes nën kontroll të Kombinatit Mineraro-Metalurgjik të Borit (RTB Bor), në lindje të Serbisë, ku kompania mëmë Zijin Mining zotëron 63 për qind të aksioneve, ndërsa shteti serb 37 për qind.

Ndërkaq, Linglong operon që nga shtatori i vitit 2024 në Zrenjanin, në verilindje të Serbis[, kur u përurua fabrika pas pesë vjetësh ndërtim.

Qeveria e Serbisë e shpalli projektin, me vlerë prej 800 milionë eurosh, si një investim me rëndësi kombëtare, duke e paraqitur atë si dëshmi të partneritetit ndërmjet Beogradit dhe Pekinit.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të “miqësisë së çeliktë”, siç i quajnë marrëdhëniet e tyre udhëheqësit e Serbisë dhe të Kinës, autoritetet serbe kanë paralajmëruar rritje të investimeve kineze.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar në disa raste për kushtet e këqija të punës në kompanitë kineze në Serbi, vend ku autoritetet kanë hapur dyert për investimet kineze./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit