Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe zyrtari i PKD-së, Enver Hoxhaj, me anë të një postimi në rrjetin e tij facebook ka reaguar lidhur me protesat masive që po mbahen tashmë prej disa javësh në Shqipëri, ku kërkohet dorëheqja pa kushte e Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Hoxha në postimin e tij shkruan se zhvillimet dhe protestat në Shqipëri janë çështje të brendshme që duhet të trajtohen nga institucionet demokratike dhe mekanizmat kushtetues të shtetit shqiptar.
Ndër të tjera Hoxha ka theksuar se arritjet e Shqipërisë nga anëtarësimi në NATO deri tek hapja e negociatave për në BE, nuk duhet të nënvlerësohen dhe as të rrezikohen nga aventura politike që nuk ofrojnë zgjidhje, por prodhojnë tensione dhe përçarje.
Postimi i Hoxhajt
Zhvillimet dhe protestat në Shqipëri janë çështje të brendshme që duhet të trajtohen nga institucionet demokratike dhe mekanizmat kushtetues të shtetit shqiptar.
Për ne në Kosovë, dhe për çdo shqiptar kudo që jeton, Shqipëria nuk është thjesht një shtet fqinj. Ajo është faktor vendimtar për pozitën e shqiptarëve në rajon dhe në Evropë. Prandaj, stabiliteti, zhvillimi dhe forcimi i saj janë interes i përbashkët.
Shqipëria e sotme është anëtare e NATO-s, ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka forcuar rolin e saj ndërkombëtar dhe ka dëshmuar se mund të jetë faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon. Këto janë arritje që nuk duhet të nënvlerësohen dhe as të rrezikohen nga aventura politike që nuk ofrojnë zgjidhje, por prodhojnë tensione dhe përçarje.
Përpjekjet për të nxitur mosbesim, ndarje dhe antagonizëm mes shqiptarëve nuk i shërbejnë askujt. Përfituesit e vetëm nga përçarja jonë janë ata që historikisht kanë pasur interes ta shohin kombin shqiptar të dobësuar dhe të fragmentuar.









