Nga Ilir Babaramo
Inkursioni i tankeve ruse në territorin e Ukrainës i dha fund shpresës së më optimistëve. Pas 22 vitesh pushteti absolut Putin pati delirin e të vetëndjerit Cezar dhe vendosi të kalojë Rubikonin. Ekuilibrat e vendosur pas përfundimit të luftës së ftohtë tani janë shembur. Bota po hyn sërish në përplasje globale. S‘ ka më status quo. Nesër bota nuk do jetë siç ishte dje. Ballkani gjithashtu.
Putin po përpiqet të korrigjojë atë që e konsideron katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ka pasur si efekt simbiotik shpërbërjen e Jugosllavisë. Shtrirja e dominimit të Rusisë drejt vendeve fqinje ishte shoqëruar me zgjerimin e zotërimeve serbe në Ballkan. Për këdo është e qartë se Beogradi është një avantpost i Kremlinit në këtë rajon.
Vuçiç ëndërron të bëjë ndaj vendeve fqinje, me ndihmën e Putin, atë që ky i fundit synon të bëjë me të gjitha republikat ish-Sovjetike. Ka një shqetësim identik që përfshin Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi, Kosovën me atë që kanë shtetet kufitare me Rusinë, nga republikat priballtike në Veri deri poshtë në Gjeorgji.
Putin synon ta kthejë Evropën në kohën e doktrinës së “sovranitetit të kufizuar”. Sot Kievi ngjason me Pragën e vitit 1968. Ka mbi një dekadë që është përgatitur për këtë inkursion. Në Ballkan, gjatë gjithë kësaj periudhe, Vuçiç ka duruar si gjarpri nën gur për të rimarrë territoret që humbi Miloshevici në luftërat e fundit ballkanike. Në fakt, më shumë se Miloshevici , këto territore ishte Jelcini ai që u detyrua ti lëshojë nën trysninë e vetëvendosjes së popujve.
Tensionet në Veri të Kosovës, Kërcënimet e Dodik në Banja Luka, shpërthimet në Podgoricë e kanë detonatorin të sinkronizuar në Beograd dhe Moskë. Pushtimi i Ukrainës zbuloi dhe për më naivët se cila është zgjedhja e Serbisë. Në një përplasje globale Beogradi nuk rreshtohet me Perëndimin. Eshtë aleat natyral i Rusisë. Deklarata e fundit e Vuçiç dëshmoi se asgjë nuk ka ndryshuar në doktrinën serbe ndaj fqinjëve. Me ndihmën e rusëve kërkon të ripushtojë çfarë ka humbur dy dhe tre dekada më parë.
Edi Rama ka qenë ndoshta I vetmi politikan në hapësirën shqiptare që ka besuar të kundërt. Ka ëndërruar se do bëjë një marrëveshje historike me Vuçiç. Kjo ëndërr e ka çuar në kurthin e projektit të “Ballkanit të hapur”, projekt prej të cilit serbët kishin përfitim të dyfishtë, ekspansionin e tyre ekonomik tek fqinjët dhe trukimin e imazhit në Perëndim se ja tani nuk janë si në kohë të Milosheviçit, por duan hapësira të hapura më fqinjët.
Për vite me radhë Rama e mbrojti këtë projekt duke sjellë si shembull pajtimin e madh franko-gjerman pas luftës së dytë botërore. Një shembull krejt larg prej realitetit ballkanik. Mjafton të shikosh personazhet respektivë. Dë Gol e bëri pajtimin me Adenauer, i cili në kohën e Hitlerit nuk ishte ministër i propagandës së këtij të fundit.
Në kohën e Hitlerit, kancelari I madh nuk ishte në zyrën e Gëbelsit, por një arratisur prej regjimit nazist. Me marrjen e pushtetit dënoi më shumë se kushdo krimet e Hitlerit, ndërsa Vuçiç fajësimi i vetëm që i bëri Milosheviçit ishte se e “humbi luftën”.
Shkurt, Rama mund ta ndjejë vetëm Dë Gol, por i mungon Adenauer përballë. Serbët e vranë “Adenauerin” e tyre në vitin 2003. Ata që e pasuan i kanë sytë sërish nga Moska, me shpresën se triumfi i Rusisë do shkaktojë triumfin e tyre në Ballkan. Në konferencën e fundit për shtyp Rama u shpreh se “Ballkani I hapur pret”. Vështirë të kuptohet nëse ishte një tërheqje elegante nga kokëfortësia më të cilin e avancoi këtë projekt për vite me radhë apo pret që ta risjellë në një moment të dytë.
/5pyetjet.al